Polici Harris Kelmendi që keqtrajtoi 18-vjeçarin Leotrim Rama mbrohet në liri

55
polici-harris-kelmendi-qe-keqtrajtoi-18-vjecarin-leotrim-rama-mbrohet-ne-liri

Policit Haris Kelmendi, i cili kishte ushtruar dhunë mbi 18 vjeçarin Leotrim Rama, brenda stacionit policor në vitin 2018, për të cilin rast u raportua edhe në media, i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti është duke u mbrojtur në liri.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Departamenti i Përgjithshëm Penal ka pranuar aktakuzën lidhur me të pandehurin H.K dhe sipas saj, seanca fillestare është caktuar të mbahet me datë 18 maj.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka pranuar aktakuzën lidhur me të pandehurin H.K. Seanca fillestare është caktuar të mbahet me datë 18 maj 2021. Të pandehurit në fjalë i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti është duke u mbrojtur në liri”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, polici Haris Kelmendi kishte ushtruar dhunë mbi 18 vjeçarin Leotrim Rama, brenda stacionit policorë. Krejt kjo kishte ngjarë tri vite më parë.Reklamë

E menjëherë pas shpërndarjes së një video inçizimi në rrjete sociale u morën edhe masa nga organet e drejtësisë.

I pandehuri Kelmendi u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 48 orë.

E posa plotësoi këtë dënim prokurori Eset Rama e liroi H.K me arsyen se ky i fundit u tregua i sinqertë gjatë deklaratave të përshkrimit të rastit.

Mirëpo lënda nuk u mbyll me kaq pasi që Këshilli Prokurorial vendosi ta suspendojë Ramën si ndëshkim për vendimin e dhënë.

“KPK-ja ka marrë vendim në mënyrë unanime për pezullimin nga puna të prokurorit në fjalë, si dhe ka themeluar Panelin hetimor, i cili do të trajtojë rastin dhe do t’i rekomandojë KPK-së vendimin përfundimtar”, thuhej në njoftim.

E pas suspendimit të prokurorit Rama, prokuroria mori vendim ta kthejë policin H.K sërish në paraburgim. Edhe këtë herë polici nuk qëndroi gjatë.

Kjo pasi që avokati i Haris Kelmendit dërgoi lëndën në Gjykatë të Apelit.

Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës së Apelit kishte bërë të ditur se polici që ka kryer aktin e dhunshëm mbi Leotrim Ramën u lirua nga paraburgimi dhe të njëjtit iu caktua masa e arrestit shtëpiak në muajin shkurt, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.