Lojërat e fatit s’kanë të ndalur në Karaçevë, caktohen 30 ditë paraburgim për personin që dyshohet se i organizonte ato

16
lojerat-e-fatit-s’kane-te-ndalur-ne-karaceve,-caktohen-30-dite-paraburgim-per-personin-qe-dyshohet-se-i-organizonte-ato

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar 30 ditë paraburgim një personi që dyshohet për organizim të lojërave të fatit.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. Th.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej muajit qershor 2019  deri më datë 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme në lokalin “Rojall” në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë  të Komunës së Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror  për vete  apo për përsonin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit 06/L-155, ka bërë organizimin e   lojërave  të cilat janë të  ndaluara me ligj.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “organizimi  i skemave  piramidale  dhe bixhozit  të paligjshëm” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.