Kryeministri britanik i shkruan letër Kurtit: Shpresoj në progres në dialogun me Serbinë

173
kryeministri-britanik-i-shkruan-leter-kurtit:-shpresoj-ne-progres-ne-dialogun-me-serbine

Ambasadori Abbott i dorëzoi kryeministrit Kurti letër urimin nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës, transmeton Rahovec.net.

Në letër urim, kryeministri Johnson e vlerëson lart miqësinë e afërt historike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.  Ai rithekson zotimin e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vazhdim të letrës, kryeministri Johnson shpreh vullnetin për të punuar së bashku me kryeministrin Kurti, për të ndihmuar në sigurimin e stabilitetit e prosperitetit për Kosovën dhe të rajonit. Ai thekson se mirëpret dhe mbështet prioritetet e përcaktuara nga qeveria për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në përmbyllje të urimit, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar shpreson që rezultati historik nga zgjedhjet e 14 shkurtit do të ofrojë mundësi të reja për Kosovën për progres në dialogun me Serbinë. Ai rithekson se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike për të mbështetur kryeministrin Kurti në programin ambicioz të reformave. /Rahovec.net/