Dënim me kusht ndaj ish-kryesuesit të KZ-së në Malishevë, pranoi se falsifikoi rezultatet e votimit në zgjedhjet e 2017-tës

17
denim-me-kusht-ndaj-ish-kryesuesit-te-kz-se-ne-malisheve,-pranoi-se-falsifikoi-rezultatet-e-votimit-ne-zgjedhjet-e-2017-tes

Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka dënuar me një vit burgim me kusht ish-kryesuesin e Komisionit Zgjedhor të një vendvotimi në Malishevë, Shefqet Zogaj, i akuzuar për falsifikim të rezultatit të votimit në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017.Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësit Drilon Haraçia, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh.

Ndaj të njëjtit janë shqiptuar edhe dënimet plotësuese, përkatësisht heqja e të drejtës për t’u zgjedhur, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, ashtu që i ndalohet e drejta për t`u zgjedhur si kandidat në zgjedhjet lokale apo qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe i ndalohet ushtrimi i detyrës që të merr pjesë si vëzhgues, kryesues, komisionar apo pozita të tjera të organizuara nga KQZ-ja në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Ndryshe, aktgjykimi është shpallur një ditë pasi i akuzuari Zogaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, në seancën fillestare të mbajtur më 20 prill 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 17 mars 2021, Shefqet Zogaj po ngarkohet me veprën penale “falsifikimi i rezultatit të votimit” nga neni 219, paragrafi 2-1 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, më 11 qershor 2017, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike, i cili ishte i autorizuar nga KQZ në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si kryesues i Komisionit Zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën “18 Prilli”, pikërisht pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar 86 vota, prej tyre 66 vota të shtuara dhe 20 vota të hequra, më ç’rast me gjithsej 86 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.