Qeveria konfirmon udhëtimin e Kurtit për në Bruksel, por mohon se do takohet me Vuçiqin

53
qeveria-konfirmon-udhetimin-e-kurtit-per-ne-bruksel,-por-mohon-se-do-takohet-me-vuciqin

Ani pse u raportua se do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Derisa ende nuk dihet data për rifillimin e dialogut, opozita i kërkon Kurtit platformën dhe parimet për dialogun, ndërkohë nga shoqëria civile thonë se dialogu pritet të rifillojë në muajin qershor.

Vizitën e Kurtit në Bruksel për KosovaPress e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiq”, bëri të ditur Kryeziu.

Kritika ndaj kryeministrit Kurti shprehu deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila thotë për KosovaPress se nëse shefi i ekzekutivit shkon në dialog pa platformë dhe parime do të ishte gabim i madh. Sipas saj, praktikat e mëhershme të këtij lloji kanë treguar sa të dëmshme janë.

“Zotëri Kurti gjithmonë e ka kërkuar një platformë dhe parime të dialogut. Nëse ai fillon të shkojë në dialog dhe pa parimet e dialogut, kjo është një gabim i madh, sepse ne nuk e dimë çka do të diskutohet”, tha ajo.

Ndërkohë, sipas Violeta Haxholli nga KDI, emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak synon deri në qershor ta mbajë dy takime ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

“Strategjia e zotëri Lajçak ka qenë që të organizojë së pari takime të nivelit politik ndërmjet kryeministrit dhe presidentit serb. Pastaj aty të hapë disa tema dhe të njëjtat t’i zëvendësojë në nivel ekspertësh dhe pastaj ata të trajtojnë këto çështje… Ne me informacionet që i kemi zotëri Lajçak synon të mbajë dy takime deri në qershor të këtij viti. Mundësisht para muajve të verës, pastaj do të tentojë të zhvillojë takimet ndërmjet zotëri Kurti dhe atij Vuçiq për të hapur tema të reja në kuadër të dialogut që lidhen me elementet e marrëveshjes finale apo për të vazhduar diskutimet për temat që janë hapur nga qeveria e kaluar”, tha ajo.

Por më skeptik në rifillimin e dialogut është Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim D4D.

“BE-ja në këtë pjesë duhet të përmbushë obligimet që ka marrë paraprakisht dhe të ofrojë një ndihmë, një lloj solidarizimi (sigurimi i vaksinave antiCOVID-19), para se të bëjë kërkesa të reja për dialog. Megjithëse dialogu është i rëndësishëm sa i përket rajonit dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk është çështja më urgjente për momentin”, tha ai.

Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Brukselit ka stagnuar që nga viti i kaluar. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka theksuar se dialogu nuk është prioritet i qeverisë së tij.