Gjykimi ndaj policëve të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion, deklarojnë dëshmitarët

37
gjykimi-ndaj-policeve-te-akuzuar-per-krim-te-organizuar-dhe-korrupsion,-deklarojne-deshmitaret

Tre dëshmitarët Veli Beqiri, Sllagjan Jovanoviq dhe Vlladan Gjurgjeviq janë dëgjuar në gjykimin ndaj tre zyrtarëve policor, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, të cilët po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.

Zyrtari policor Veli Beqiri, i cili gjatë viteve 2016-2017 kishte punuar në pjesën kufitare në Leposaviq, ka thënë se ka pasur kontrabandim të mallrave nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, por sipas tij, kur ai ishte në patrullë nuk kishte pasur.

Ai po ashtu tha se ka mbi 20 rrugë ilegale për transportimin e mallrave që lidhen me Serbinë dhe sipas tij, të gjitha kontrabandimet dhe marrja e mitos nga transportuesit janë kryer përmes komandantit Rade Radosavljeviq, si udhëheqësi kryesor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se bashkëpunëtorët e tij kanë qenë policët me nofkat “Regia”, “Llaki (Millan Javanoviq), dhe Milladin Qifllak, ndërsa sipas tij zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit ka qenë Bratislav Millojeviq, me nofkën “Shpiuni”, dhe tani më vonë ka ardhur Izet Uskoviq.

Sipas tij, me këta polic kishin bashkëpunuar kontrabandistët e mallrave, ndërsa sipas tij, e akuzuara Vasoviq kishte qenë vetëm viktimë e tyre.

“Kam punuar te Ana një muaj, ama gja n’dorë s’ka pas, se ka vet kush, krejt qai Llaki i ka kryer punët”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se ka njohuri se paratë që ishin marrë nga kontrabandistët ishin ndarë tek policët e ndërrimeve, por sipas tij e akuzuara Vasoviq nuk kishte marrë para, sepse ajo veç e kishte pasur pozitën dhe nuk kishte kryer asnjë punë tjetër dhe se të gjitha punët ilegale i kishte kryer “Llaki”.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se në prezencë të tij asnjë polici nuk iu ishte dhënë para, prokurori special Burim Çerkini e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në Inspektorat Policor, në të cilën kishte deklaruar se fillimisht kishin pasur kujdes, por pastaj kishte ndodhur që edhe në prezencë të tij kishin marrë para.

“Nër sy meje nuk kanë marrë para, është shkru gabim, unë se kam lexu këtë deklaratë”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori Çerkini ia rikujton edhe një pjesë të deklaratës, në të cilën kishte përmendur policin Izet Uskoviq si njëri prej policëve që kishte marrë para, por sipas tij, ai kishte dyshuar, por më vonë e kishte kuptuar se edhe ai kishte qenë viktimë dhe se dyshimin e kishte hequr pas dhënies së kësaj deklarate në IPK.

Pasi i njëjti gjatë dhënies së kësaj deklaratë kishte thënë se paratë ishin ndarë vetëm për kafe, ndërsa në polici kishte deklaruar se paratë i kishte marrë Izet Uskoviq dhe një pjesë ia kishte dhënë Rade Radosavljeviqit dhe pjesën tjetër Cifllakut, dëshmitari ka thënë se para tij nuk ka ndodhur kjo.

“Pse po deklaron ndryshe”, e ka pyetur prokurori Çerkini dëshmitarin, i cili ka thënë se “kallxova kush u kanë kryesori ktu”.

Ai tha se polici Cifllaku edhe atij i kishte dhënë 5-10 euro, por sipas tij, ai nuk e kishte ditur arsyen.

Ai tha se ndërrimi i vendit të tij të punës nga Leposaviqi në Llozhan nuk ka pasur të bëjë me këtë çështje, por sipas tij transferimi në një regjion në tjetrin kishte ndodhur sipas nevojës.

Në seancën e së mërkurës është dëgjuar edhe dëshmitari Vlladan Gjurgjeviq, i cili ka treguar se merret me prerjen e drunjve dhe se në raste të rralla është marrë edhe me transportim të drunjve.

Pasi është pyetur nga prokurori Çerkini në lidhje me një deklaratë të dhënë në polici në cilësi të dëshmitarit, me 9 nëntor 2018, pasi i është dhënë në shikim kjo deklaratë, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet kjo deklaratë dhe nuk ishte i sigurt nëse nënshkrimi ishte i tij.

Ai ka thënë se njëherë kishte provuar të transportojë dru nga Kosova në Serbi, por sipas tij nuk kishte mundur, për shkak se kamioni i kishte mbetur pa naftë dhe pastaj policia ia kishin konfiskuar drunjtë dhe e kishin dërguar në stacion për dhënien e deklaratës.

Sipas tij, nga policët që punojnë në kufi, i njeh të akuzuarën Vasoviq dhe Veroljub Dimitrijeviq, por sipas dëshmitarit ai asnjëherë nuk ishte takuar me ta për mundësinë e transportimit të drunjëve nga Kosova në Serbi.

Prokurori Çerkini e ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e dhënë në polici, në të cilën kishte deklaruar se i akuzuari Veroljub Dimitrijeviq i kishte thënë se në kohën kur ai është në ndërrim, mund të transportonte drunjë.

Por, dëshmitari ka thënë se në polici i kishin thënë që të pranoj se kishte punuar me policë dhe se nuk e kishin lejuar as të marrë avokat edhe pse ai kishte kërkuar.

Po ashtu, dëshmitari ka thënë se gjatë dhënies së kësaj deklarate njëri prej policëve e kishte shtrënguar në pjesën e qafës dhe i kishte thënë se do të mbetet në paraburgim dhe se nuk do ti shohë një kohë të gjatë familjarët e tij.

Pasi i njëjti ka deklaruar se nuk ishte njoftuar as me të drejtat i tij si dëshmitar dhe se as prokurori Çerkini e as gjykata nuk posedon deklaratën origjinale të dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama, e ka obliguar prokurorin që të sigurojë origjinalin e pastaj gjykata të vendosë për këtë provë nëse duhet të shpallet e papranueshme apo jo.

Në seancën e së mërkurës është dëgjuar edhe polici në pikën kufitare në Leposaviq, Sllagjan Jovanoviq, i cili ka deklaruar se ai personalisht nuk kishte parë raste kur kanë ndodhur kalime të mallrave në mënyrë ilegale nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, por sipas tij, nga qytetarët dhe kolegët e tij kishte dëgjuar se kishte pasur.

Ai ka thënë se ka pasur 7-8 rrugë ilegale, ndërsa në lidhje me përfshirjen e policëve në kontrabandim të mallrave, sipas dëshmitarit ai nuk mund të pohojë nëse kishte pasur apo jo.

Ai ka thënë se nuk e din nëse kontrabanduesit kishin bashkëpunuar me policinë, me shefat e ndërrimit, zëvendës shefat e ndërrimit dhe me komandantin e stacionit për kalimin e mallrave ilegalisht.

Por, dëshmitari në deklaratën e dhënë në IPK kishte thënë se komandanti Rade Radosavjleviq kishte qenë në krye dhe se kishte qenë në dijeni për të gjitha kalimet ilegale dhe se 50% e policëve nuk kishin qenë në dijeni, por se komandanti e kishte pasur mundësinë që ti njoftojë kontrabanduesit.

Ai tha se kishte dëgjuar se për kalim të mallrave ishin dhënë para, por sipas tij ai personalisht nuk e kishte parë nëse iu ishin dhënë të holla policëve, por vetëm sipas fjalëve të qytetarëve kishte dëgjuar se kishte ndodhur kjo.

Mirëpo, prokurori Çerkini ka thënë se në polici kur iu ishte bërë pyetja se në çfarë mënyrë është bërë pranim dorëzimi i të hollave nga kontrabanduesit policisë, ai i bindur kishte deklaruar se të hollat më së shpeshti ishin dorëzuar në dorë policit që i kishte kontraktuar punët me kontrabandistin dhe se mënyra tjetër kishin qenë lënia e parave në pompë, në një shitore dhe se asnjëherë dëshmitari në këtë deklaratë nuk kishte thënë se këto kishin qenë thashetheme.

“Unë kam dëgjuar prej qytetarëve këtë, unë i kam pasur këto njohuri në bazë të fjalëve”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, ai vetëm kishte dëgjuar se i akuzuari Veroljub Dimitrijeviq kishte pranuar të holla, por tha se ai nuk kishte qenë prezent asnjëherë.

I pyetur se a ishte në dijeni se të gjitha ndërrimet kishin mbledhur para për komandantin, dëshmitari ka thënë se ishte diskutuar se kjo kishte ndodhur.

Në deklaratën e dhënë në polici, dëshmitari kishte deklaruar se ndërrimin e të akuzuarës Vasoviq dhe zëdhënësi i saj “Llaki”, kishin bashkëpunuar me kontrabandistet dhe me ndërrimin B, ku kanë qenë komandanti Rade Radosavjleviq dhe Izet Uskoviq.

“Me siguri ashtu kam thënë, edhe kjo është fol prej të tjerëve, unë me Anen nuk kam punuar asnjëherë me të. Edhe me Milan Javanoviq s’kam punuar”, ka thënë dëshmitari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Veroljub Dimitrijeviq, avokati Millosh Deleviqka kërkuar që deklarata e dëshmitarit e dhënë në IPK të përjashtohet nga shkresat e lëndë, pasi sipas tij, për shkak të dallimeve në data, pasi në njërën faqe ishte data 28 gusht 2019, ndërsa në tjetrën 22 gusht 2019, dyshon në besueshmërinë e kësaj deklarate.

Por, prokurori Çerkini ka thënë se në fillim të marrjes në pyetje të dëshmitarit, i njëjti ka pranuar se ka dhënë deklaratë në IPK dhe ka pranuar edhe përgjigjet e dhëna në këtë deklaratë si dhe kishte pranuar se nënshkrimi kishte qenë i tij.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama, e ka pyetur se cila kishte qenë e vërtetë ajo që kishte deklaruar në seance se nuk e kishte thirrë askush asnjëherë në telefon që ti kërkojë që ta lirojë ndonjë kontrabandues për të kaluar kufirin, ndërsa në polici kishte deklaruar se disa herë ka ndodhur që komandanti e kishte thirrur dhe i kishte kërkuar që Sharped duhet të jetë i lirë në mëngjes nga ora 3:00 deri në 5:00.

“Është e vërtetë ajo që kam deklaruar, por ndoshta nuk më është kujtuar”, ka thënë dëshmitari.

Gjykatësja Shabani-Rama e ka pyetur edhe në lidhje me një pjesë tjetër të deklaratës në polici, ku kishte deklaruar se në ndërrimin e tij i akuzuari Veroljub Dimitrijeviq i kishte mbledhur paratë dhe se një pjesë ia kishte dhënë komandantit ndërsa pjesën tjetër atyre, dëshmitari ka thënë se kështu kishte dëgjuar nga të tjerët.

Për shkak se dëshmitari sa herë është ballafaquar me deklaratën e dhënë në polici në të cilën vazhdimisht e kishte inkriminuar të akuzuarin Veroljub Dimitrijeviq, ndërsa ngjatë dhënies së dëshmisë në seancën e së mërkurës, ai kishte deklaruar se në polici vetëm kishte deklaruar atë që kishte dëgjuar nga të tjerët, kryetarja e trupit gjykues ia ka rikujtuar dëshmitarit se deklarata e rreme paraqet vepër penale.

Seancat e radhës pritet të mbahen me 30 prill 2021 dhe 19 maj 2021, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe me 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1,000 euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020, nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit  Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.