Qeverisë i kërkohet që të fillojë hartimin e një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik

23
qeverise-i-kerkohet-qe-te-filloje-hartimin-e-nje-strategjie-nacionale-te-zhvillimit-ekonomik

 

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon nga Qeveria e re e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit që të hartojë një dokument strategjik si dokument udhërrëfyes për politikat e zhvillimit ekonomik. Kjo meqë siç thuhet nga OEAK zhvillimi ekonomik i bazuar në qasje strategjike është thelbësor për mundësimin e rritjes së matshme dhe të qëndrueshme ekonomike.

“Strategjia Nacionale e Zhvillimit Ekonomik duhet të iniciohet në tremujorin e parë të Qeverisjes së re dhe duhet të bazohet në një analizë të potencialeve dhe prioriteteve ekonomike, e mes tjerash do të udhëzonte edhe sektorin privat në marrjen e vendimeve strategjike. Dokumenti strategjik do të shërbente në shmangien e vendimeve ad-hoc ose qasjes reaktive, e cila ka karakterizuar vendimmarrjen institucionale në të kaluarën. Në këtë mënyrë, Qeveria, Kuvendi, si dhe hisedarët e tjerë jopolitikë dhe joqeveritarë do të mund të vendosnin kontroll mbi zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përcaktuar objektiva specifike, të matshme, të arritshme, reale, si dhe të lidhura me afatet kohore”, thuhet në komunikatën për media nga OEAK.

Mes tjerash në komunikatë thuhet se “Oda Amerikane beson fuqishëm se prioritetet si fuqizimi i sundimit të ligjit, adresimi i çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, fuqizimi i lidhjeve me Diasporën, nxitja e investimeve të brendshme dhe tërheqja e investimeve të jashtme, si dhe adresimi i infrastrukturës fizike me fokus në atë energjetike, duhet të përfshihen me doemos në Strategji, ndërsa hartimi i saj duhet të zhvillohet në konsultim të ngushtë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ekspertët dhe institutet e ekonomisë, institucionet akademike, organizatat ndërkombëtare zhvillimore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e sindikatave”.

OEAK i ka sugjeruar qeverisë edhe që procesi i hartimit të strategjisë duhet të marrë në konsideratë, por të mos kufizohet vetëm në faktorët si të dhënat ekonomike dhe demografike, burimet natyrore të Kosovës, anët e fuqishme, dobësitë, mundësitë, kërcënimet dhe trendet lokale dhe globale, si dhe zhvillimet teknologjike.

The post Qeverisë i kërkohet që të fillojë hartimin e një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik appeared first on Gazeta Press.