Ish-këshilltari i Thaçit: Kurti meriton përkrahjen e spektrit politik nëse mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit

24
ish-keshilltari-i-thacit:-kurti-meriton-perkrahjen-e-spektrit-politik-nese-mund-ta-refuzoje-themelimin-e-asociacionit

Çollaku në Rubikon tha sovraniteti ynë shtetëror asnjëherë nuk janë prekur nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, njofton Klan Kosova.

“Sikur të kishte shkuar përtej Ahtisarit me siguri që ndonjë nga partitë që ka kanë qenë në atë kohë në opozitë do ta kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe të njëjtat kompetenca që do të tejkalonin Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me siguri që do të rrëzoheshin nga Gjykata Kushtetuese. Në asnjë rrethanë marrëveshja e vitit 2013 nuk ka tejkaluar asnjë kornizë as kompetencë e cila është e paraparë me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës mbi të gjitha”.

“Sikur të kishte tejkaluar ligjet në fuqi sepse ne nuk kemi ndryshuar asnjë ligj – as ligjin për policinë në mënyrë që të akomodojmë këto obligime që kanë dalë nga marrëveshja e Brukselit. Komandanti Rajonal i Policisë në Veri emërohet nga Drejtori i Policisë së Kosovës prandaj për një gjë të tillë. Absolutisht duhet të jetë serb – shtetas i Kosovës, por zgjidhet nga Drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës dhe kjo është e rëndësishme”, tha Çollaku.

“Nuk kemi ndryshuar asnjë ligj as Kushtetutë prandaj sovraniteti shtetëror dhe rendi ynë kushtetues me ligjet në fuqi asnjëherë nuk janë prekur nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013”.

Çollaku theksoi se thelbi i marrëveshjes së vitit 2013 për Kosovën ishte zhbërja e strukturave paralele të sigurisë në Veri të vendi që financoheshin nga Serbia teksa Asociacioni i Komunave me shumicë serbse ishte i parëndësishëm.

“Thelbi i kësaj marrëveshje ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – është krejtësisht jo e vërtetë. Thelbi i kësaj marrëveshje për Republikën e Kosovës ka qenë normalizimi i gjendjes në veri të vendit më saktësisht zhbërja e të gjitha strukturave paralele të sigurisë që deri në atë kohë financoheshin nga Serbia ndërsa Asociacioni ka qenë ndër pikat e rëndësishme për Serbinë dhe për komunitetin serb. Mirëpo, për Kosovën kjo ka qenë pika më së paku e rëndësishme”.

“Nëse e lexojmë me kujdes po i referohemi vetëm marrëveshjes së vitit 2013 dhe jo marrëveshjes së parimeve për zbatimin e Asociacionit të vitit 2015, mirëpo ne jemi kujdesur qysh atëherë që ta bëjmë të qartë që ky Asociacion do të themelohet në përputhje me statusin e të komunave të Republikës së Kosovës dhe ajo pikë është e qartësuar më 2013. Ajo që ne kemi lejuar në atë kohë sipas gjuhës së Marrëveshjes së vitit 2013 është që meqë komuna në veri të vendit nuk duan t’i bashkohen asociacionit të Republikës së Kosovës mund ta bëjnë një të tillë ngjashëm por asgjë më shumë”, tha Çollaku.

Tutje ish-Ministri i Integrimeve Europiane tha se nëse kryeministri Albin Kurti mund të refuzojë themelimin e Asociacionit meriton përkrahjen e gjithë spektrit politik.

“Sa i përket qasjes së qeverisë aktuale të kryeministrit Kurti lidhur me Asociacionin është shumë interesante. Po t’i jepja mbështetje një qasje të tillë do të tingëllojë cinik dhe nuk dua të jem cinik në asnjë mënyrë. Mirëpo, personalisht do të doja që qasja e tij dhe kauza e tij lidhur me gjithë këtë proces të Marrëveshjes së Brukselit dhe dialogut në përgjithësi të zbatohej në praktikë sepse mendoj që do të ishte në interes të Republikës së Kosovës që Kosova të mos bëjë asnjë kompromis tjetër thjesht ta përmbyllim këtë proces me njohje reciproke”.

“Nëse ai [Kurti] do të mund që të refuzojë themelimin e këtij Asociacioni ashtu siç është paraparë ai meriton përkrahjen e gjithë spektrit politikë edhe nga qasja e tij teorike ai e ka mirë sepse ne nuk mund të pretendojmë të ndryshojmë strukturën etnike në veri të vendit”, tha Çollaku.

“Shpresoj që kjo qeveri ta mbajë pikërisht këtë diskurs në Bruksel s’ka pse Asociacioni të jetë çështje e dialogut në vazhdimësi sepse kjo është çështje e mbyllur”.