Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me vrasjen e 61-vjeçarit nga Gjakova, Haxhi Ahmetit, është ekstraduar një shtetas i Shqipërisë. Ahmeti kishte mbetur i vdekur pas një shpërthimi me eksploziv, që iu kishte montuar në derën e shtëpisë, në tetor të vitit 2018.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Fsh. Smolicë, Gjakovë 14.10.2018-08:00. Në lidhje me rastin më 19.04.2021 nga autoritetet e R. Shqipërisë është ekstraduar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale të lartë-cekur. I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Por, si kishte ndodhur e gjithë ngjarja?
Haxhiu kishte pak kohë që ishte kthyr nga Gjermania, për disa ditë pushimi në Kosovë. Por, pushimi për të njëjtin kishte përfunduar pas një shpërthimi me eksploziv, i cili iu montua në derën e shtëpisë.
Express kishte qëndruar në shtëpinë e të ndjerit ditën kur kishte ndodhur rasti.
Familjarët kishin deklaruar se i ndjeri së fundmi nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim për ndonjë problem me ndonjë person.
“Ne e kemi hap të pamën për kushëririn tonë. Hiç asgjë nuk dimë se çka ka ndodhë. Problemet që ai i ka pasë kanë mbetur në të kaluarën. Ditëve të fundit sa ka qenë ai këtu nuk ka shfaqur ndonjë brengë”, kishin deklaruar disa familjarë të së ndierit.
Por, Gazeta Express nga burime të saja brenda organeve të hetuesisë kishte marr vesh se Prokuroria ka dyshime se i ndjeri mund të jetë vrarë për fajde. Burimet tregojnë se ai (Haxhi Ahmeti) u kishte shumë borxhe disa personave, andaj prokuroria nuk e kishte hedhur poshtë mundësinë se vrasja ndaj së njëjtit mund të jetë e porositur.
Organet e hetuesisë këtë vrasje e kishin lidhur edhe me konfliktin e mëhershëm që i ndjeri e kishte pasur me vëllain e tij, ku ky i fundit pas një zënke ia kishte vrarë djalin Haxhiut.
Historia e konfliktit në mes të dy familjeve të së njëjtit gjak nuk ka përfunduar në 2013’tën. Disa vite pas, për vëllain e vrarë, djali tjetër i Haxhiut të ndjerë, tenton të marrë hak tek kushëriri i tij i cili ishte i moshës së mitur. Por, ai arrestohet nga Policia e Kosovës për veprën penale ‘Tentim Vrasje’.
I njejti është duke e vuajtur dënimin prej 2 vite e gjysmë burgim.
Ndryshe, 61 vjeçari Haxhi Ahmeti, ishte vrarë në mënyrë të sofistikuar në shtëpinë e tij në Smolicë të Gjakovës. Eksplozivi që i u vendos te kasaforta e postës tek dyert e oborrit dyshohet të jetë komanduar nga një distancë e madhe. Hetuesia e Gjakovës asnjëherë nuk është përballë me një rast të tillë, madje një vrasje e këtij lloji vështirë se ka ndodhur edhe në shkallë vendi.