​Osmani e Vitia vizitojnë Klinikën e Pediatrisë

123
​osmani-e-vitia-vizitojne-kliniken-e-pediatrise

Vizitë kjo që u bë me rastin e fillimit të misionit të shoqatës ndërkombëtare “Gift of Life” për trajtimin karidokirurgjik të fëmijëve kosovar.

Me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së i njoftoi për qëllimin e këtij misioni.

Presidentja Osmani- Sadriu shprehu falënderimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm, gjersa e vlerësoi lart ardhjen në këtë kohë të vështirë.

“Faleminderit për gjithçka që keni bërë, sepse, tash, gjatë pandemisë, nuk është e lehtë. Ju po rrezikoni jetët tuaja dhe të familjarëve tuaj nga ndonjë infeksion i mundshëm. Por, kjo kurrë nuk do të harrohet. Do të jemi përjetësisht falënderues”, tha Osmani.

Organizata “Gift of Life” vitin e kaluar kishte planifikuar rreth 90 operime në Kosovë, por i anuloi ato për shkak të situatës me Pandeminë COVID-19.

Ministei Vitia çmoi lart punën e jashtëzakonshme të kësaj organizate që për vite me radhë realizon misione të tilla, ku përveç që po ndihmojnë fëmijët, janë duke kontribuar shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional të stafit mjekësor vendor.

“ Jam këtu për të shprehur mirënjohjen, por gjithashtu për t’ju treguar juve që ne jemi këtu për ta bërë gjithçka të mundur. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar juve. Faleminderit dhe shpresojmë për projekte të ardhshme, shpresojmë për më shumë jetë të shpëtuara”, theksoi Vitia.

Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Valbon Krasniqi duke njoftuar rreth angazhimit për organizimin e këtij misioni sqaroi se një ekip i përbërë nga 17 ekspertë kardiokirurgë amerikanë dhe italianë, të asistuar nga mjekët vendor, do të kryejnë intervenime në 30 fëmijë me probleme në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori Krasniqi në mënyrë të veçantë falënderoi Prof Dr. Mazllum Belegun dhe koleget pediater për kontributin e tyre ne realizimin e këtij misioni.

“Këtë vit kemi arritur të krijojmë kushtet për realizimin e misionit për trajtimin e fëmijëve me probleme në zemër, tha Krasniqi duke falënderuar mjekët e “Gift of Life”. dhe duke njoftuar se planifikohen edhe 2 misione te tilla gjate ketij viti.

Drejtori i “Gift of Life”, Rob Raylman, u shpreh i lumtur me prezencën e krerëve institucionalë dhe për përkrahjen që morën, ndërkaq theksoi rëndësinë e misionit që udhëheq, por edhe rolit në shpëtimin e fëmijëve me probleme në zemër.

Ekipi mjekësor, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fundjavë, përbëhet nga kardiokirurgët dr. Françesko Santoro dhe dr. Ribiera Santoro, nga kardiologët dr. Herbert Stern dhe dr. Roberto Tumbarello, me kolegë të tyre.