Karma: Një manual i thjeshtë drejtë lumturisë

18
karma:-nje-manual-i-thjeshte-drejte-lumturise

“What goes around, comes around” – Atë që mbjellim, korrim!

Kemi dëgjuar shumë për Karmën si ai ligj që dënon të këqinjtë dhe cakton fatin tonë. Dikush bën mirë andaj mbledh Karma të mirë, apo, nëse dikujt i ndodh diçka e keqe, atëherë ai person është “i mallkuar” nga Karma e keqe. Por e vërteta është se shumica prej nesh ngatërrojmë kuptimin e vërtetë të këtij ligji.

Por cili mund të jetë kuptimi i vërtetë i Karmës atëherë?

Sipas gjuhës sanskrite (gjuhë e lashtë me rrënjë Indiane), Karma do të thotë “veprim” ose “të bësh”. Sipas definicionit në Wikipedia, në traditën Budiste, Karma i referohet veprimit i cili nxitet nga një qëllim. Pastaj ky veprim në të ardhmen do të ketë pasoja ose do të shkaktojë një reaksion.

Këtë definicion mund ta ilustrojmë me shprehjen “Do të korrësh atë që ke mbjellur!”, që domethënë se secilin veprim që ne e bëjmë në jetën tonë, cilido të jetë qëllimi i veprimit, atëherë ky veprim (aksion) do të ketë një pasojë (reaksion) në të ardhmen.

Sipas Budizmit, Karma nuk ka për qëllim të dënojë e as të shpërblejë njerëzit. Është thjeshtë ligj i natyrës që llogarit çdokënd dhe veprimet e çdokujt, duke bërë kështu që njeriu të përballet me pasojat (rekasionet) e veprimeve te veta.

Rreth viteve të 70-ta ishte edhe bendi anglez The Beatles me këngën “Instant Karma” që sikur hapën një kapitull të ri. Pas kësaj kënge, karma nuk ishte më një temë e padëgjuar, pasi njerëzit u njoftuam pak a shumë me termin dhe ajo më nuk ishte diçka e panjohur.

Po të përmendim ca rreshta nga kënga që thotë: “what on earth you tryin’ to do – It’s up to you, yeah you”, domethënë, “çfarëdo që po mundohesh të bësh, është e gjitha në dorën tënde”, shohim se e gjitha varet nga ne dhe veprimet që ne zgjedhim të bëjmë.

Por sigurisht që Karma është më shumë sesa një tekst kënge. Më poshtë mund të shihni se ajo është një ligj që është shtjelluar edhe në kultura të ndryshme.

Në botën perëndimore, filozofia karmike u popullarizua edhe përmes Shoqërisë Teozofike. Kuptimi teozofik i Karmës lidhet ngusht me atë budist sepse shpjegon se ashtu sikur veprimet e dobishme dhe sikur ato të dëmshme që njeriu i bën, do t’i kthehen. Teozofët e përkufizojnë karmën si “një ligj i dinamikës shpirtërore që lidhet me çdo akt në jetën e përditshme”.

Edhe në librin “Karma” të Botime Akropoli i Ri, të shkruar nga Annie Besant, shpjegohet kuptimi i këtij ligji karmik. Ndër të tjerash aty shkruan se “një bindje e thellë dhe e qëndrueshme e së vërtetës së ktij ligji i jep jetës një qetësi të paluajtshme dhe një mungesë frike të përsosur: asgjë nuk mund të na prekë nëse nuk kemi punuar për të, asgjë nuk mund të na dëmtojë nëse nuk e kemi merituar atë”.

Kështu përfundojmë se Karma është një “veprim” dhe jo “fati jonë i paracaktuar”. Ajo është një energji e krijuar nga veprimi i vullnetshëm, përmes mendimeve, fjalëve dhe veprave tona. Andaj është në dorën tonë që të ndryshojmë rrjedhën e jetës sonë, varësisht nga qëllimi që nxit veprimet tona.

Botime Akropoli i Ri