Arsenali e ka mposhtur 3:0 Sheffield Unitedin të dielën, duke i dhënë fund një ecuri prej katër ndeshjeve pa fitore në të gjitha garat.
Alexandre Lacazette shkëlqeu me dy gola dhe Gabriel Martinelli me një gol, duke ia siguruar skuadrës së Mikel Artetës fitoren në Bramall Lane ndaj skuadrës së fundit në Premierligë.
Topçinjtë po vinin nga një barazim me West Hamin dhe nga një disfatë prej Liverpoolit në dy ndeshjet e kaluara, prandaj fitorja ndaj ekipit më të dobët në ligë duhej të arrihej patjetër.
Lacazette u sigurua që kjo të ndodhë, duke e hapur serinë e golave në minutën e 33-të, kur shënoi pas një aksioni brilant të Arsenalit.
Martinelli e dyfishoi epërsinë e vizitorëve duke shënuar në portën boshe nga një top i kthyer pas një goditjeje të Nicolas Pepe.
Sulmuesi francez e vulosi fitoren e Arsenalit me golin e dytë personal në këtë takim në minutën e 85-të.
Megjithëse i mori tri pikë, Arsenali ngel shumë larg top katërshes në Premierligë, pasi ka vetëm 45 pikë në vendin e nëntë, 10 më pak se West Hami në vendin e katërt, shtatë ndeshje para përfundimit të sezonit.
Sheffield, ndërkohë, e ka të sigurt rënien nga liga, edhe pse jo ende matematikisht, sepse është i fundit me vetëm 14 pikë, 18 më pak se zona e mbijetesës.
The post Arsenali e rigjen rrugën e triumfit në fitoren kundër Sheffield United appeared first on RahovecNET.